Banka e Shqipërisë bëri të ditur se për muajin shtator 2024 kredia e re për ekonominë shënoi vlerën 28.3 miliardë lekë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues shënoi rritje me 13.9%. Rritja më e madhe e kredisë rezultoi në segmentin e biznesit dhe korporatave.

Sipas BSH-së, kredia e re për biznesin gjatë muajit shtator shënoi vlerën 19.7 miliardë lekë ose rreth 16.6% më e lartë se vitin e kaluar.

Për të njëjtën periudhë, për individët bankat dhanë 8.1 miliardë lekë kredi, me rritje 4% kundrejt shtator 2023.

Për të gjithë 9-mujorin e vitit, vlera e kredisë së re të dhënë nga sektori bankar arriti në 280.7 miliardë lekë, në rritje me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, bëri të ditur BSH-ja./ata