Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se gjatë vizitës së tij në Shqipëri kanë konfirmuar “natyrën e palëkundur të miqësisë” midis dy vendeve.

Pas vizitave të tij zyrtare në Shqipëri dhe Serbi të enjten dhe të premten, presidenti Erdoğan foli për gazetarët dhe iu përgjigj pyetjeve në aeroplan gjatë kthimit për në Türkiye.

Duke theksuar se vizita dyditore ishte jashtëzakonisht produktive dhe e suksesshme, Erdoğan deklaroi se po kërkojnë mënyra për të forcuar më tej marrëdhëniet tashmë të mira së bashku me homologët.

Ai tha se kanë shkëmbyer ide për zhvillimet e fundit në Ballkan dhe çështjet globale, veçanërisht për territoret e pushtuara palestineze dhe mizoritë izraelite në Gaza.

“Ne u përcollëm vëllezërve tanë në Shqipëri, që ishte ndalesa e parë e vizitës, përshëndetjet e kombit tonë të dashur dhe të afërmve të tyre në Türkiye. Patëm konsultime të gjera me mikun tim të dashur, kryeministrin Edi Rama, me rastin e takimit të dytë të Këshillit tonë të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit. Krahas deklaratës së përbashkët, me dokumentet që nënshkruam në fushën e arsimit të lartë, bujqësisë, marrëdhënieve me publikun dhe medias, konfirmuam natyrën e palëkundur të miqësisë Türkiye-Shqipëri. Gjatë takimeve tona, theksuam vendosmërinë për të luftuar bashkërisht kundër organizatave terroriste, veçanërisht FETO-s. Në kuadër të vizitës sime, ne vlerësuam marrëdhëniet tona në fushën politike dhe ushtarake me presidentin e Shqipërisë, zotin Bayram Begaj. Së bashku me mikun tim të dashur, kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama, bëmë hapjen e Xhamisë së Namazgjasë, më e madhja në Ballkan, e ndërtuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare dhe Fondacioni i Dijanetit”, tha Erdoğan.

Ai deklaroi se Xhamia e Namazgjasë do të ofrojë mundësi shtesë për myslimanët e vendit për të kryer namazin e tyre, si dhe do të funksionojë si qendër kulturore.

“Unë falënderoj sërish secilin, të gjitha institucionet tona, që kontribuuan në hapjen e xhamisë, e cila është një vepër simbolike në çdo aspekt me arkitekturën, vendndodhjen, kapacitetin për 8 mijë njerëz dhe ndërtimet shtesë”, tha Erdoğan.

Presidenti turk deklaroi se me rastin e vizitës ka pasur rastin të diskutojë në detaje çështjet që lidhen me industrinë e mbrojtjes me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ai tha se kanë pasur mundësinë të bëjnë një hap së bashku në fushën e industrisë së mbrojtjes.

 

- Vizita në Serbi

Duke folur për stacionin e dytë të turit të tij në Ballkan, vizitën në Serbi, ku u mbajt takimi i katërt i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, Erdoğan tha se kanë konfirmuar vullnetin për ta zhvilluar tutje bashkëpunimin në çdo fushë.

“Nënshkruam 11 marrëveshje që do t'i çojnë marrëdhëniet tona edhe më tej. Diskutuam për punën që mund të bëhet për të arritur qëllimin tonë të përbashkët prej 5 miliardë dollarësh (në tregtinë dypalëshe)”, tha Erdoğan.

“Për ne ka qenë krenari që biznesmenët turq kanë bërë investime të konsiderueshme në Serbi, veçanërisht në fushën e kontraktimit. I shpreha kënaqësinë time mikut tim të dashur, presidentit serb (Aleksandar) Vuçiq, për mbështetjen që Serbia u jep kompanive tona. Është gjithashtu e këndshme që marrëdhëniet mes njerëzve tanë po rriten dita-ditës. Derisa vitin e kaluar Serbinë e vizituan më shumë se 200 mijë qytetarë, ne jemi të kënaqur që rreth 400 mijë qytetarë serbë zgjodhën vendin tonë. Synojmë të rrisim më tej numrin e turistëve të ndërsjellë me mundësi udhëtimi me letërnjoftimi, për të cilën po punojmë”, shtoi ai.

“Ne theksuam edhe një herë mbështetjen tonë për procesin e dialogut Beograd-Prishtinë. Unë deklarova se jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë për të siguruar stabilitet dhe paqe të përhershme në Ballkan”, u shpreh më tej presidenti Erdoğan.

 

- Gjenocidi izraelit në Gaza

Lidhur me situatën në Lindjen e Mesme dhe sulmet izraelite në Gaza dhe Liban, Erdoğan tha: “Agresioni i Izraelit nuk mund të injorohet. Me agjencinë tonë të inteligjencës, ne mbajmë nën kontroll hapat që Izraeli ka ndërmarrë dhe mund të marrë kundër Türkiyes”.

Ai tha se Izraeli nuk po synon vetëm stabilitetin e Palestinës dhe Libanit, të cilat po i sulmon, por “po përpiqet gjithashtu të sigurojë që zjarri atje të ketë efekte përreth”.

“Gjenocidi në Gaza po ndodh para të gjithëve dhe ka zënë vendin në mesin e turpeve historike të njerëzimit”, tha presidenti turk, duke shtuar se “ata që qëndrojnë me organizatën terroriste sioniste të quajtur Izrael sot, do të mbajnë gjurmët e këtij turpi për breza”.

“Ëndrrat e Netanyahut dhe bandës së tij do të kthehen në makthe. Palestina do të jetë e lirë, Libani do të mbetet i lirë”, shtoi ai.

Ai apeloi që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë hapa për ta ndaluar Izraelin.

“Izraeli është kërcënimi më konkret për paqen rajonale dhe globale. Ata që kanë marrë përsipër detyrën e ruajtjes së paqes botërore duhet t'i japin fund këtij kërcënimi”, deklaroi presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan./aa