Grupi parlamentar i Partisë Demokratike bën të ditur se do të kallëzoi penalisht në SPAK kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, drejtorin e Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj si dhe disa punonjës të paidentifikuar policie.

Kallëzimi penal, sipas Partisë Demokratike do të realizohet me pretendimin se “janë futur persona të armatosur në Kuvend dhe kanë kanosur me armë deputetët”.

Edhe sot deputetët e opozitës, siç edhe kishin paralajmëruar bojkotuan seancën plenare, ndërsa u përplasën jashtë ambienteve të Kuvendit edhe me forcat e Gardës, të cilët kishin vendosur edhe një gardh metalik para parlamentit.

Protesta mori përmasa më të gjera, pasi edhe grupimi i protestuesve para bashkisë Tiranë, iu bashkua mosbindjes civile të deputetëve të opozitës para Kuvendit.

Vetë nënkryetari i PD-së, Flamur Noka në një prononcim për mediet, tha se mosbindja civile do të vijojë deri në krijimin e një qeverie teknike për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare 2025.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gazment Bardhi deklaron se kurrë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë nuk ka ndodhur që deputetët të rrethohen nga forcat speciale të Policisë së Shtetit.

Sipas Bardhit, Kuvendi sipas ligjit dhe Rregullores së Kuvendit ka forcat e veta të sigurisë, që janë pjesë e Gardës së Republikës.

“Kurrë nuk ka ndodhur që një punonjës policie brenda ambienteve të Kuvendit të kanosë me jetë një deputet. Pavarësisht debateve të përhershme dhe tejkalimeve të kompetencave herë pas here nga Garda e Republikës, sot ishin pikërisht punonjësit e Gardës që mbrojtën jetën e deputetëve të kanosur nga Policia në ambientet e brendshme të Kuvendit.

Shteti që kërcënon brenda Kuvendit me polici deputetët e opozitës, nuk ka asnjë lidhje me nje shtet që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe asnjë lidhje me parimet që udhëheqin një vend anëtar i NATO-s!” – shkruan Bardhi ndër të tjera në rrjetet sociale./ata