Nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, u zhvillua sot në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit veprimtaria “Gra të padukshme: Historia e feminizmit në letërsinë shqipe”.

Në aktivitet morën pjesë Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, deputetja Flutura Açka, ish-Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, ish-deputetja dhe shkrimtarja, Diana Çuli, Alda Bardhyli, Drejtore e QKLL, profesorë dhe studentë.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në fjalën e saj përshëndetëse në këtë takim, kushtuar kontributit të grave shkrimtare dhe artiste në emancipimin e shoqërisë shqiptare të mesit të shekullit të kaluar, u shpreh se kjo kohë ishte, në fakt, një periudhë dinamike e historisë shqiptare, e lulëzimit të ideve e pikëpamjeve politike për të ardhmen e vendit.

“Ky pluralizëm idesh politike dhe ideologjike u shoqërua nga një lëvizje e gjerë kulturore, plot larmi idesh, pikëpamjesh, ngjyrash, skenarësh zhvillimi kulturor, artistik dhe shoqëror, që e shndërroi Shqipërinë në një kantier letrar dhe kulturor.

Shqipëria, një vend i varfër për nga niveli i zhvillimit, mirëqenia, ekonomia dhe pasuria, zhvilloi dhe demonstroi një përmasë të fuqishme intelektuale dhe kulturore, në kontrast të thellë me varfërinë ekonomike. U rikonfirmua se kultura dhe emancimi shoqëror mund të zhvillohen edhe të pakushtëzuara nga niveli i zhvillimit ekonomik dhe politik të një vendi. Në këtë periudhë që u zhvilluan mjaft pikëpamje mbi zhvillimin e shoqërisë, aq sa mund të themi që u hodhën disa baza të rëndësishme të shkencave të sociologjisë dhe antropologjisë kulturore.

Në këtë arradhë shkrimtarësh, letrarësh, ideologësh, sociologësh dhe antropologësh e letrarësh, u shquan edhe mjaft personalitete gra e vajza. Prej tyre dëshiroj të përmend Selfixhe Ciu Broja, Ollga Plumbi, Musine Kokalari, Urani Rumbo, Mila Vangjeli, të cilat në një moshë fare të re u bënë pjesë e rëndësishme e shtypit letrar të kohës, duke nënshkruar me emrat e tyre, por më shpesh me pseudonime. Autoret gra shpesh janë mbuluar padrejtësisht me pluhurin e harresës, por ndrijnë sot më shumë se kurrë me kumtet e tyre të guximshme e të mençura, për një shoqëri të lirë e të zhvilluar.”-u shpreh Spiropali.

Ish-Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, u shpreh se çështja e gruas është një detyrim i të gjithë shoqërisë për t’i dhënë peshën dhe vlerën që meriton.

Deputetja dhe shkrimtarja  Flutura Açka, gjatë fjalës së saj kujtoi kontributin e autoreve gra në historinë e letërsisë shqipe.

Gjatë aktivitetit foli edhe shkrimtarja Diana Çuli, e cila nënvizoi se gratë dhe vajzat e dinë se bota ku jetojmë nuk është e lehtë dhe nuk është aspak e lehtë as për të pasur një pasion idealist për barazinë gjinore./ata