Komisioni i Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”  zhvilloi sot seancë dëgjimore për të diskutuar mbi sulmet kibernetike dhe mbrojtjen e sistemeve dixhitale në vend.

Kryetari i këtij komisioni, Erion Braçe u shpreh ndër të tjera se në buxhetin e vitit 2025 duhet të ketë më shumë vëmendje financiare ndaj institucioneve dhe ndryshimeve teknologjike, si edhe mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike.

“Përfitojmë nga rasti që jemi para buxhetit të vitit 2025 dhe vëmendja duhet të jetë e shtuar ndaj institucioneve për të financuar ndryshimet teknologjike”, u shpreh Braçe ndërsa iu drejtua kreut të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Ilir Tafa i pranishëm në seancë se standardi i teknologjisë duhet të miratohet nga institucioni që ai drejton.

“Miratoni standardet si institucioni që merret me sigurinë kibernetike si dhe një listë të vendeve ku duhet dhe ku nuk duhet të adresohemi për të marrë teknologji për mbrojtjen e sistemeve tona”, u shpreh Braçe.

Sipas tij, këto masa duhet të vlejnë jo vetëm për sektorin publik, por edhe për atë privat.

“Ne duhet të udhëheqim edhe sektorin privat në origjinën e tekonologjisë që duan të adoptojnë brenda sistemeve të tyre. Veçanërisht në sektorët strategjikë dhe të sigurisë kombëtare”, tha Braçe./ata