Janë njoftuar mëngjesin e sotëm pesë refuzimet e para të kërkesave për azil të shtatë emigrantëve të dërguar në Shqipëri, në qendrat me legjislacion italian.

Sakaq të nesërmen e 11 nëntorit pritet vendimi i Gjykatës së Romës për miratimin ose jo të ndalimeve.

Donatella Tanzariello, e Këshillit Italian për Refugjatët, kërkon informacion të mëtejshëm “për udhëtimin e zgjatur në det dhe për procedurat e rrugës që i solli në Gjadër”.

“Emigrantët tashmë janë shumë të stresuar nga procedurat e shpejta që iu nënshtrohen menjëherë pasi janë përballur me një odise në det dhe janë gjetur në një vend krejtësisht të ndryshëm nga pritshmëritë e tyre”.

Një rrëfim nga brenda

Ai nuk dëshiron të kthehet në Bangladesh.

“Për mua do të thotë vdekje”.

Habibur është 27 vjeç dhe një nga shtatë emigrantët e mbajtur në qendër të Gjadrit, Shqipëri.

Ai po ikën nga dhuna e shtetit aziatik, ku vetëm pak ditë më parë, më 5 nëntor, në Chittagong, një qytet port me 6.5 milionë banorë afër kufirit me Birmaninë, bandat e armatosura të përbëra nga pjesëtarë të ushtrisë sulmuan banorët, duke shkatërruar ambientet dhe duke gjuajtur anëtarë të komunitetit hindu.

Habibur – emri nuk është i vërtetë – që mbrëmë ia besoi apelin e tij tre parlamentarëve italianë Andrea Casu dhe Rachele Scarpa, të Partisë Demokratike dhe Alfonso Colucci, të Movimento 5Stelle.

“Mos më ktheni atje”.

Ai është më i moshuari në familje dhe për këtë, thotë ai, është më i rrezikuari.

Ai studioi për administrim biznesi, por e ardhmja e tij nuk është në shtetin ku minoritetet fetare janë nën sulm.

Dhe ku në gusht përleshjet në rrugë çuan në 95 vdekje dhe arratisjen në Indi të kryeministres historike Sheiikh Hasina, vajzës së themeluesit të kombit.

Një shtet në mes të luftës civile, por i konfirmuar si një “vend i sigurt” nga Qeveria italiane me dekretin e miratuar nga Këshilli i Ministrave më 23 tetor.

Nga ana tjetër, vendimi i Gjykatës Evropiane më 4 tetor hodhi poshtë qasjen italiane.

Deputetëve dhe vullnetarëve, Habibur iu tregoi odisenë e tij: udhëtimin e pafund, që i kushtoi gjashtëmbëdhjetë mijë euro hua nga; ndalesa në Abu Dhabi, pastaj në Libi, ku ishte i burgosur i trafikantëve për një muaj, më pas udhëtimi, i cili zgjati katër ditë.

70 veta në një varkë të vogël në det shumë të trazuar, duke humbur dhe duke përfunduar në ujërat malteze dhe më pas mbërritja në pjesën italiane, ku i mori Marina.

Ai tani është i lënduar në këmbë dhe ka një infeksion.

Këtë e kuptoi më vonë.

“Në anijen Libra askush nuk i bëri pyetje për historinë e tij – akuzon Scarpa – Ai u përgjigj vetëm pyetjeve të natyrës shëndetësore. Për mua ky nuk është një vlerësim i vërtetë i cenueshmërisë”.

Shtetasi egjiptian i cili u rikthye në Itali me anijen ushtarake Libra mbrëmjen e së premtes ka mbërritur mëngjesin e djeshëm në Cara të Brindisit.

Tani për tani ai është i ftuar, por gjendja e tij u vlerësua e rëndë nga mjekët që kryen kontrollin në Shqipëri.

Ai vuan nga halucinacionet dhe probleme të tjera psikiatrike.

Shoqëruesit e tij të udhëtimit i thanë delegacionit italian se kur mësoi se do ta çonin në Shqipëri dhe jo në një vend evropian, nisi të villte.

“Këta njerëz mbërrijnë këtu pas muajsh. Ata po përpiqen të mbijetojnë. Ishte shumë prekëse, duhet t’u afrohemi me vetëdije se kemi të bëjmë me njerëz”, thotë i prekur Casu.

Megjithatë, si deputetët, ashtu edhe vullnetarët u ka lënë përshtypje profesionalizmi i zyrtarëve dhe agjentëve që po menaxhojnë si pikën e Shëngjinit ashtu edhe qendrën Gjadër.

“Është i dukshëm edhe humaniteti i tyre”, shton Colucci, i cili megjithatë ia vë fajin qeverisë Meloni, ndaj së cilës ka paraqitur një ankesë në Gjykatën e Audituesve për kostot e operacionit në Shqipëri.

Por Qeveria italiane nuk dorëzohet: procedurat vazhdojnë.

Emigrantëve tani u janë caktuar telefona celularë: ata mund t’i përdorin ato – si dhe të telefonojnë të afërmit dhe të paguajnë garancinë që do t’i shpëtonte nga paraburgimi – për t’u dërguar dokumente dhe foto që vërtetojnë statusin e tyre të përndjekur.

Dhe seancat dëgjimore të komisionit territorial dje zgjatën, në disa raste, deri në gjashtë orë.

Për të demonstruar se asnjë mohim nuk do të bëhet pas një gjykimi përmbledhës.

Ndërkohë gjyqtarëve në Romë u është dërguar edhe kërkesa për validim: Vendimi i tyre pritet nesër.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për Albanian Post