Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për rritjen e pagave të mësuesve, të cilat vitin e ardhshëm do të jenë nga 23-36% më shumë në varësi të përvojës dhe të gjitha kualifikimeve që ata kanë.

 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha pas mbledhjes së qeverisë se “paga e një mësuesi të shkollave 9-vjeçare do të jetë 95 550, ndërsa për arsimin e mesëm të lartë do të jetë 106 800 lekë paga bruto”.

 

Kushi theksoi se “janë 36 570 mësues në të gjithë Shqipërinë që do të përfitojnë nga kjo rritje e konsiderueshme”.

 

“Ne e kemi nisur këtë vlerësim që në mandatin e kaluar kur pagat e tyre u rritën me 32 %, ndërsa në fillim të këtij mandati u angazhuam për rritje prej 40%. Vitin e kaluar edhe pse vit i vështirë pas dy krizave të mëdha tërmetit dhe pandemisë ne i rritëm me 6%, ndërkohë këtë vit kemi marrë vendimin edhe pse u shtua një krizë tjetër ajo e krizës ekonomike për shkak të luftës në Ukrainë, ne e rritëm 7%”, tha Kushi.

 

Ministrja Kushi u shpreh se “mësuesit janë njerëzit që meritojnë vlerësimin, mirënjohjen dhe respektin e shoqërisë në çdo kohë dhe çdo vend. Prandaj ata janë dhe do të jenë gjithmonë në fokus të vëmendjes sonë. Ky vlerësim shprehet edhe me anë të punësimit me meritokraci dhe transparencë siç është portali “Mësues për Shqipërinë” e padyshim shprehet nëpërmjet kushteve më të mira siç janë investimet që ne po bëjmë në infrastrukturën arsimore”.

 

Por, shtoi ajo, padyshim vlerësimi më i mirë për ta është shpërblimi, pagat dinjitoze./ATSH