Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se, “në 14 maj do të rikthehet njëherë e mirë llogaridhënia”.
Në një intervistë televizive, Meta tha se, “në 14 maj kemi një ditë të jashtëzakonshme për Shqipërinë”.
“Jo vetëm opozita rikthehet në institucione, por rikthehet një herë e mirë llogaridhënia, jo për 4 vjet po për gjithmonë. Edi Rama ka frikë nga të vërtetat. Opozita është shumë e bashkuar si pasojë e një marrëveshjeje shumë parimore”, tha Meta.
Sipas tij, “marrëveshja është e hekurt dhe ka si synim rikthimin e llogaridhënies”.
“Kjo marrëveshje nuk mbaron në 14 maj me fitoren tonë. Por ky korrupsion absolut do të marrë fund dhe do të kalojmë në transparencë absolute. Transparencë absolute do të thotë çdo mbledhje e këshillit bashkiak do të jetë e hapur. Hapi i dytë është për të garantuar referendumin. Që është në Kushtetutë por e ka bllokuar kjo mazhorancë. Kjo është pika e dytë e marrëveshjes sonë. Dhe kjo do të jetë arritja jonë më e madhe që t’i rikthejmë fuqinë dhe besimin popullit shqiptar. Se popullit shqiptar për fat të keq ju cenua dhe besimi dhe u largua nga vendi”, theksoi ai.