Në Elbasan ka marrë fund odiseja më shumë se 30 vjeçare për shkak të mungesës së rrugës për banorët e zonës së largët të Labinotit Mal.

 

Tashmë rruga e re Labinot Mali, afron edhe më shumë këtë zonë me qytetin e Elbasanit, duke shkurtuar distancën dhe hap një perspektivë për zhvillimin e agroturizmit.

 

E banuar qysh në lashtësi, Labinot Mali, ofron një peizazh sa të bukur nga natyra që e rrethon, aq edhe nga bimësia si dhe arrorrët që mbulojnë të gjithë zonën, për mos lënë pa përmendur edhe masivin pyjor.

 

Labinoti Mal, Njësia Administrative e Elbasanit, e përbërë nga 9 fshatra, njihet edhe për zbulimin e disa varreve Ilire, që tregon se është një zonë e populluar që në këtë periudhë. Në këtë zonë ndodhen edhe rrënojat e një kishe – varrezë të shek.IV si dhe xhamia 400 vjeçare.

 

Dikur, një zonë e Çermenikës, sot e Elbasanit, Labinot Mali, ishte lënë në harresë prej vitesh, që në kohën kur në këtë zonë kalonin vetëm mjetet që transportonin dru, por sot, rruga është bërë lehtësisht e kalueshme. Kjo do t’u shërbejë banorëve të kësaj zone./ATSH