Tashmë prej ditësh ka nisur fushata elektorale e partive politike në vend. Pjesë e saj janë edhe mediat, të cilat monitorojnë dhe pasqyrojnë ecurinë e fushatës të zgjedhjeve të 14 majit.
Nga raporti javor i Bordit të Monitorimit të Mediave i ngritur për të verifikuar se sa të barabartë janë mediat, ka rezultuar se në 2 javët e fundit të muajit të kaluar gati të gjitha televizionet i kanë dhënë më shumë kohë koalicionit “Bashkë Fitojmë”, se sa Partisë Socialiste edhe pse u takon e njëjta kohë televizive.
Bordi i Monitorimit të Medias, vjen në këtë raport javor nga data 14 prill për edicionet informative, emisionet, minutazhet e transmetimit të spoteve elektorale, transmetimet në oraret e palejuara si dhe monitorimet e bëra për operatorët radiotelevizivë në Tiranë e në rrethe.
Vëmë re që në emisione ka marrë kohën televizive më të lartë koalicioni “Bashkë Fitojmë” me 12.388 min, e pasuar nga Partia Socialiste 5810.5 min dhe Partia Demokratike e renditur në vendin e tretë me 4215 min.
Të njëjtën renditje kanë edhe në kohën televizve në edicionet informative, ku sërish në vend të parë ndodhet koalicioni “Bashkë Fitojmë” me 8593.12 min, Partia Socialiste në vendin e dytë me 6541.98 min dhe Partia Demokratike me 4427.88 min.
Siç shihet edhe nga të dhënat në tabelë, me kohën më të lartë televizive renditet i pari ish-kryeminstri Sali Berisha me 1999.39 minuta kohore.
Ndërkohë kryeministri Rama zë vendin e dytë me 1492.48 min, i pasuar nga Alibeaj në vend të tretë, Veliaj në vendin e katërt dhe Këlliçi në vendin e pestë.
Sipas kodit zgjedhor, koha televizive duhet të jetë e barabartë për të gjitha partitë parlamentare, që në zgjedhjet e fundit për Kuvendin kanë marrë deri në 20 për qind të vendeve në Kuvend.
Partitë që kanë marrë më shumë se 20 për qind të vendeve në Kuvend, përfitojnë kohë transmetimi të shpërndarë në mënyrë të barabartë midis tyre. Secila nga këto parti përfiton kohë sa dyfishi i kohës që përfiton një parti që ka marrë deri në 20 për qind të vendeve në
“Në rast të shkeljes së raporteve të pasqyrimit në favor të një partie, KQZ-ja, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1,500,000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3,000,000 lekë. Vendimi i KQZ-së përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga zyra e përmbarimit”, thuhet në Kodin Zgjedhor ku saktësohet se në rast përsëritjeje të shkeljes, KQZ-ja urdhëron entin rregullator për mediat audiovizive të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv për 48 orë.