Një 58-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se i hoqi lirinë një shtetasi, e kanosi dhe e goditi atë me sende të forta.
Uniformat blu bëjnë me dije se kanë vënë në pranga shtetasin Avdyl Kapllanaj, banues në Skrapar, pasi dyshohet se i ka hequr lirinë një 36-vjeçari, për rreth 2 orë, në një rrugë të pafrekuentuar, në periferi të qytetit të Çorovodës, ku dhe e ka kanosur dhe e ka goditur atë, me sende të forta.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, policia gjeti rreth 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe 550 fishekë luftarak të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 36-vjeçari se një shtetas i kishte hequr lirinë, si dhe e kishte kanosur dhe dhunuar, kanë organizuar dhe kanë finalizuar në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Berat, operacionin policor të koduar “Mix”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. K., 58 vjeç, banues në Skrapar.
Nga veprimet hetimore të deritanishme, dyshohet se 58-vjeçari, për motive të dobëta, i ka hequr lirinë një 36-vjeçari, për rreth 2 orë, në një rrugë të pafrekuentuar, në periferi të qytetit të Çorovodës, ku dhe e ka kanosur dhe e ka goditur atë, me sende të forta.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit të arrestuar A. K., ku kanë gjetur dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, rreth 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 550 fishekë luftarak”, tha policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.