Gjykata e Apeli ka rënduar dënimin për Agron Tanushin me 5 vite, duke e çuar në total 28 vite burg, për vrasjen e nuses së vëllait të tij, Jetmira Hasanin.

 

 

Ndërkohë nëna  e viktimës ka kërkuar dënim maksimal për autorit, teksa ka deklaruar se kanë frikë prej tij dhe se druhen se mos i vret, pasi të dalë nga burgu.

 

“Shteti ta dënojë përjetë, kemi frikë. Ai na shau në gjykatë, një herë na vrau….Ky në rrugë na shante, tani ca të bëjmë ne? Ta vrasim? Doli Dan Hutra, vrau disa, a kështu do bëjmë dhe ne? Unë nuk i kërkoj gjë shtetit, e vras. Janë ngjarje që nuk kanë si të jenë ndryshe. Ai dënohet 28 vite. Ne thamë të gjitha gjërat që ai ka bërë. Nëse mundem ia jap unë dënimin, po ai është më i zoti, se është mësuar të vrasë”, ka deklaruar ajo.

 

Vendimi i Apelit:

 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 3011, datë 15.12.2022 ka vendosur:

 

Deklarimin fajtor të të pandehurit (A) T për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, e parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal, ndaj viktimës së ndjerës J.H, dhe dënimin e tij me 20 (njëzet) vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit (A) T për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, e parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal bashkimin e dënimeve dhe dënimin e tij me 23 (njëzet e tre) vite burgim.

 

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të  bërë nga nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi:

 

Deklarimin fajtor të të pandehurit T për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”,e parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 28 (njëzet e tetë) vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit T për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, e parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal dënimin përfundimtar të të pandehurit T me 30 (tridhjetë) vite burgim.

 

Gjithashtu dhe mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale A.T, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin fajtor për veprën penale të parashikuar nga neni 82 i K. Penal dhe deklarimin fajtor për veprën penale të parashikuar nga neni 278/4 i K. Penal dhe përfundimisht bashkimin e dënimit në një të vetëm.

 

 

Në përfundim të gjykimit, më datë 26.07.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar znj. Vojsava Osmanaj dhe anëtare znj. Valdete Hoxha dhe znj. Lutfije Celami, vendosi:

 

– Lënien në fuqi të vendimit Nr. 3011, datë 15.12.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me këtë ndryshim:

 

– Deklarimin fajtor të të pandehurit A.T për veprën penaletë “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78/1 të K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 25 vjet burgim.

 

– Në bazë të nenit 55 të K. Penal, bashkimin e dënimeve në një të vetëm prej 28 vjet burgim.