Nga data 1 prill rritet paga minimale, nga 34 mijë në 40 mijë lekë. Lajmi është dhënë nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë , Delina Ibrahimaj, në një dalje për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

 

E pyetur nga gazetarët nëse rritja e pagës po vjen në prag të zgjedhjeve, Ibrahimaj u përgjigj se Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në rajon dhe se qëllimi i qeverisë është që të mos jetë më e tillë.

 

“Gjatë vitit të kaluar ndërhymë menjëherë. Qëllimi ka qenë të minimizojmë efektet e krizës. Paga minimale në vend është më e ulët në rajon. Synojmë që në tre vitet e ardhshme të mos jetë më e tillë. Arsyeja kryesore që kemi qenë të kujdesshëm është për të mos shtuar kosto shtesë biznesi. Për këtë arsye jemi duke subvencionuar sigurimet. Rritja e pagës minimale nuk lidhet me politika elektorale, por shkon në mbështetje të të gjithë punonjësve që janë pagamarrës minimalë”-tha Ibrahimaj.