Skema Kombëtare e Investimeve 2024 mbështet fermerët në investimet për rrjeta për mbrojtjen e prodhimit bujqësor nga breshëri.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se masa e përfitimit shkon në 50 % të vlerës totale të investimit, për sipërfaqe 1 ha deri 5 ha.

Ministrja theksoi se aplikimet janë hapur deri më datën 8 nëntor. “Skema Kombëtare e Investimeve financon rrjetat për mbrojtjen nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta, për sipërfaqe nga 1 ha deri në 5 ha”, tha ministrja.

Denaj theksoi se, masa e përfitimit është 50 % e vlerës totale të investimit dhe shkon deri në 1.5 milionë lekë për hektar.

Përfitues të mundshëm të skemës janë fermerë, subjekte me status fizik/juridik, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor. Aplikantët nuk duhet të jenë debitorë ndaj AZHBR dhe MBZHR.

Në rastet e fermerëve individualë, duhet të kenë tokën në pronësi ose me qira të paktën për 5 vite nga viti i aplikimit.

Dokumentet që nevojiten për t’u dorëzuar pranë AZHBR-së janë formulari i aplikimit dhe plani i biznesit i detajuar sipas udhëzimit të MBZHR-së./ata