Në mbledhjen e sotme të kryesisë, teksa ka vijuar akuzat për përdorimin e bandve në zgjedhjet e 14 Majit, ish-kryeministri Sali Berisha tha se kryeministri Rama ka vendosur paqe në Shkodër mes 5 bandave kryesore.
Berisha u shpreh se bandat dhe krimi u përdor për të blerë vota në të gjitha qytetet që sipas tij, Kryeministri Rama synonte të fitonte zgjedhjet.
Sa i takon Shkodrës ai thotë se Bajrat u liruan nga burgu dhe me makina të blinduara ushtronin terror pranë qëndrave të votimit.
“Në makinerinë e terrorizimit elektoral të zgjedhjeve, nuk mjaftoi vetëm pushteti, por u përdorën edhe bandat, qoftë në shoqërim të zyrtarëve në takimet e tyre, qoftë në misonin e terrorizmit të zgjedhësve dhe shpërndarjes së parave. Nga se përbëhej makineria e terrorizimit të shqiptarëve në këto zgjedhje? Ajo ishte një amalgamë, një konglomerat i qeveritarëve, zyrtarë, banditëve dhe kriminelëve. Në të gjitha qytetet e mëdha, në Shkodër, Lezhë, Peshkopi, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier e me radhë, bandat dolën nga strofullat e tyre. Në Shkodër, Rama vendosi paqe mes 5 bandave kryesore të zonës dhe të gjitha me në krye Bajrët, të cilët u liruan nga burgu, u vërsulën dhe me makina të blinduara i binin Shkodrës kryq e tërthor duke ushtruar terror pranë qendrave të votimit. Bandat darkonin me qeveritarët dhe merrnin misionet. Sigurisht misione për kontrollin e votës, për grabitjen e votës.
A ishte kjo situatë në të gjithë Shqipërinë? Jo, nuk ishte në të gjithë Shqipërinë, duhet të jemi realistë. Kjo ishte në të gjitha zonat ku ai me çdo kusht donte të merrte mandatin. Këto zgjedhje treguan se kjo makineri megakriminale e blerjes së votave dhe terrorizimit të zgjedhësve u përdor pa mëshirë, siç u përdorën zarfat për pensionistët. Përdori ndërhyrjen e krimit si rezervën e fundit. Shkoi në Mamurras, shpërndarja e parave ditën për drekë, kërcënim me jetë të eksponentëve tanë. Po kështu në Lezhë gjithë natën bandat i shoqëronte makina e policisë kudo ngjitur. Në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, ne nuk mund të cedojmë përpara kësaj situate. Jo! Po marr zonat e votimit elektronik. Të ngrihesh kundër makinerisë elektronike nuk është kaq e lehtë. Është opozita ajo që duhet të jetë e interesuar për votimin elektronik. Por fakte të shumta janë mbledhur dhe po mblidhen për manipulimet e kryera me votimin dixhital”-tha Berisha.